Ekonomia shqiptare po rritet më shpejt se një vit më parë, por cilësia e zgjerimit të saj po përkeqësohet. Ajo po sfidohet nga burimet që po shterojnë. Duke përllogaritur se si ka ndryshuar vlera totale e përkthyer në para' e produkteve dhe shërbimeve në 11 degët kryesore njohur si Prodhimi i Brendshëm Bruto, INSTAT raporton se në 3-mujorin e parë të vitit ekonomia e vendit është rritur me 3.63 për qind. Në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë ky tregues ishte vetëm 2.72 për qind.
“Është një rritje brenda objektivave të Qeverisë së Shqipërisë e cila ka ardhur edhe si pasojë e mos-përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme”, u shpreh ish-ministri Malaj.
Një rritje ekonomike në nivelin 3.63 për qind do të ishte një lajm vetëm i mirë nëse ajo do të përfshinte të gjithë sektorët. Gati gjysma e zgjerimit të Prodhimit të Brendshëm Bruto erdhi nga ndërtimi dhe shitblerja e pronave. Më pas renditet administrata publike që nëpërmjet rritjes së pagave i ka dhënë gjallëri ekonomisë. Ndërkohë dy sektorët më të rëndësishëm të punësimit, bujqësia dhe manifaktura vijuan tkurrjen.
“Prandaj duhet të shikojmë që rritja ekonomike të mos bazohet kryesisht te ndërtimi. Sektorët e tjerë janë relativë. Elementi i dytë që duhet të zgjidhim lidhet me vlerën e shtuar. Vlera e shtuar janë pasuritë natyrore, por ato po kanë rritje negative. Kjo edhe për shkak të faktorëve të jashtëm”, tha Arben Malaj, ish-ministër i Financave.
Kur ekonomia e një vendi rritet, kjo rrjedhimisht përkthehet në më shumë mirëqenie për njerëzit. Kjo është një tezë tashmë e gjithë-pranuar në pjesën dërrmuese të ekonomive në botë. Por analizimi i shifrave tregon se rritja ekonomike në Shqipëri nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për familjet dhe individët. Vendi përherë dhe më shumë po shkon drejt shtresëzimit dypolar vlerëson Banka Botërore në një raport të fundit, teksa paralajmëron se mungesa e shtresës së mesme është e rrezikshme për të ardhmen e shoqërisë
“Ndryshim i shpeshtë i politikave fiskale të cilat nuk lejojnë të bësh planifikime bashkë me penalitetet e shtuara kanë deformuar shtresën e mesme në Shqipëri”, theksoi Malaj.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë ndërkohë që në harkun e muajve janar-mars, ndikimi pozitiv në rritjen ekonomike pate edhe shtimi i konsumit nga popullata, ndikuar kryesisht nga turistët e huaj. (A2 Televizion)