Presidenti rus Vladimir Putin ka mbledhur Këshillin e Sigurisë të vendit të tij pas telefonatës me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, raportuan të hënën agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar këshilltarin e politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov.
Sipas Ushakov, Putin u dha anëtarëve të Këshillit të Sigurisë një informacion të gjerë mbi bisedën e tij me Trump.
Trump dhe Putin ranë dakord mbrëmjen e djeshme që të mbajnë një samit mbi luftën në Ukrainë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pas një bisede telefonike prej dy orësh me shefin e Kremlinit, tha se “telefonata ishte shumë produktive dhe u shënuan përparime të mëdha”.
Presidenti amerikan shtoi më tej se bisedime të këshilltarëve të nivelit të lartë do të mbahen që javën e ardhshme, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.
“Unë dhe Putini do të takohemi më vonë në një lokacion të përcaktuar në Budapest të Hungarisë, për të vlerësuar nëse mund t’i japim fund kësaj lufte të palavdishme”, vijoi Trump.
Ai theksoi se kishte marë përgëzimet e Presidentit rus për marrëveshjen e madhe të paqes në Lindjen e Mesme. “Më tha se ishte diçka të cilën ai e ka ëndërruar për shekuj”, ishin fjalët e Trump. (A2 Televizion)