Dy mjekë të maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë janë ngarkuar me përgjegjësi penale nga Prokuroria e kryeqytetit si përgjegjës për vdekjen e një foshnje të porsalindur. Hetimi i drejtuar nga prokurori Bledar Valikaj për ngjarjen e ndodhur në vitin 2021 ka përfunduar me marrjen të pandehur të mjekëve Aida Hoxha dhe Ervis Vata për “neglizhencë në trajtim mjekësor”, me pasojë vdekjen.
Pas veprimeve hetimore dhe dy akt-ekspertimeve, është mbërritur në përfundimin se dy mjekët kanë ndërhyre me një pajisje mekanike forceps, gjatë një lindjeje natyrale, që më herët ishte planifikuar të bëhej me operacion.
Sipas hetimit, kjo procedurë, që përdorej vetëm në raste specifike, ka shkaktuar dëmtime të rënda në kokën e foshnjës, që kanë sjellë më pas humbjen e jetës.
Prokuroria pretendon se mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes gjatë shtatzënisë, si edhe mjekut roje të gatshëm, ka qenë faktori vendimtar, në procesin e rrezikshëm të lindjes, që përfundoi tragjikisht për foshnjën. (A2 Televizion)