Shoqata e Biznesit të vogël e të mesëm të Shqipërisë ka reaguar ndaj urdhrit të dhënë për zhvendosjen e serviseve dhe varrezave të makinave që ndodhen në rrugët nacionale dhe zonat e banuara. Nëpërmjet një shkrese drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Turizmit dhe Mjedisit kërkojnë pezullimin e vendimit.
“I drejtohemi ministrive përkatëse për shtyrjen e afatit për zhvendosjen e pjesëve të përdorura nga këto ambiente se është e pamunudur që në periudhë 3 ditore. Jemi të hapur të diskutojmë pasi nuk jemi kundër por duhen zgjidhje të tjera. Duam të pezullohet ky urdhër. U është dhënë afat disa ditor dhe më pas kolegët janë gjobitur duke filluar nga 3 milionë të vjetra. Të gjejmë mirëkuptim me institucionet”, thotë Bujar Muço, sekretar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.
Kushti për zhvendosjen e serviseve dhe varrezave të makinave 1 km larg rrugëve nacionale apo dhe zonave të banuara konsiderohet i padrejtë nga shoqata pasi krijon kosto të shumta për bizneset. “Është e pamundur të zhvendosësh se kërkon shumë kosto. Që të zhvendosen në një vend të tillë nuk ka ifnrastrukturë. S’ka energji elektrike, kanalizime kështu që është e pamunudur. Greqia i ka 10 metër nga rruga kryesore”, tha Muço.
Krenar Koçibelli, pronar i një servisi makinash në fshatin Bulgarec të Korçës e sheh të pamundur zbaitmin e këtij vendimi pasi i dëmton biznesin. Si zgjidhje ai sheh tashmë emigracionin. “Do e mbyll servisin dhe do iki emigrant. Shqiptari ka qenë i mallkuar që ditën e lindjes deri në vdekje nga ky shtet. Në këtë servis kam shpenzuar gjithë djersën e emigracionit të vete të blejë tokë tjetër. Ca rrugëzgjidhje kemi. Na ngelet t’i vëmë kyçin servisit dhe të ikim në emigracion”, thotë ai.
Vetëm në qarkun e Korçës nga ky urdhër preken me shume se 380 servise dhe varreza makinash. Inspektorati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka evidentuar 526 pika të grumbullimit të mjeteve të përdorura, të shpërndara pranë akseve kryesore rrugore të cilat duhet të zbatojnë vendimin. (A2 Televizion)