Zjarret në vend, qeveria me paketë mbështetëse për fermerët, 29 mijë hektarë tokë do të rivitalizohen

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 15:04 | Ekonomi

Zjarret në vend, qeveria me paketë mbështetëse për

Qeveria do të adresojë një paketë mbështetëse për fermerët, për të mbuluar kostot e dëmeve të shkaktuara nga zjarret në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.

Në konferencën e përbashkët me ministrat e Mbrojtjes Pirro Vengu, atë të Brendshëm Ervin Hoxha dhe drejtorin e përgjithshëm të Emergjencave Civile, Haki Çako, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vlerësoi ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë për marrjen e masave ndaj dëmeve të shkaktuara nga zjarret.

Denaj tha se, “zjarret kanë shkatuar dëme kryesisht në zonën e jugut të vendit, në Delvinë, në blegtori, bletari por dhe në kullota”.

“Janë 230 koshere me bletë të dëmtuara, 8 stane, ndërsa jemi duke vlerësuar nevojën për ushqim për blegtorinë në të gjithë zonat e prekura nga zjarret”, tha Denaj.

Ministrja bëri të ditur se, furnizimi me bazë ushqimore për blegtorinë, në zonën e prekur nga zjarret është mundësuar në kohë rekord.

“Që prej ditës së martë janë shpërndarë në Delvinë 20 tonë ushqime dhe kemi një kapacitet prej 100 tonë ushqime rezervë për t’u shpërndarë në zonat e tjera të vendit, ku paraqitet nevoja”, tha ajo, teksa u bëri apel institucioneve në terren të bëjnë përllogaritjet për nevojat e tjera që paraqiten.

Ajo shtoi se qeveria do të vijë me një paketë mbështetëse për rivitalizimin e një sipërfaqeje toke prej 29 mijë hektarësh me të mbjella.

“Është një sipërfaqe toke prej 29 mijë hektarë, po mendojmë një paketë mbështetëse për të rivitalizuar këtë pjesë me të mbjella”, tha Denaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos