Familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët me të ardhura të pamjaftueshme, si dhe individët pa mbështetje familjare apo sociale, do të mund të përfitojnë një subvencion për konsumimin jetik të ujit. Ky subvencion do të mbulojë deri në 5 metra kub ujë në muaj.
Për këto kategori, do të subvencionohet gjithashtu me tarifa fikse, tarifa për kanalizimet dhe shërbimet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane.
Udhëzimi i ri që përcakton metodologjinë për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve shtetërore për ofruesit e shërbimeve në sektorin e ujësjellës kanalizimeve për vitin buxhetor 2025 është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi menjëherë, shkruan A2 CNN.
Ky udhëzim ka për qëllim të rregullojë procedurat për shpërndarjen e subvencioneve dhe të sigurojë një sistem të qartë dhe të strukturuar mbështetjeje për kategoritë më në nevojë.
Subvencioni do të shpërndahet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) dhe do të përdoret për kompensimin e kostove të ujit të pijshëm dhe shërbimeve të kanalizimeve për ato familje që janë pjesë e kategorive sociale në nevojë, siç janë parashikuar në ligjin për asistencën sociale. Këto familje do të përfitojnë subvencionin për deri në 5 metra kub ujë në muaj, si dhe për tarifat fikse dhe shërbimet e kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është se çdo familje mund të përfitojë subvencion vetëm një herë, pavarësisht numrit të anëtarëve të saj që mund të përfshihen në kategoritë e ndihmës ekonomike.
Shoqëritë aksionare të ujësjellës kanalizimeve do të kenë përgjegjësinë e akordimit të zbritjeve për kategoritë e nevojshme çdo muaj.
Për të siguruar një përdorim të duhur të fondeve, janë parashikuar disa kushte për shoqëritë UK. Vetëm ato që kanë nënshkruar një kontratë performancë me AKUK mund të përfitojnë nga ky subvencion. Kontrata është e domosdoshme për të siguruar një administrim të saktë të fondeve dhe një mbikëqyrje më të fortë të shpenzimeve.
Në rast se shoqëritë aksionare të ujësjellës kanalizimeve nuk kanë nënshkruar kontratën e performancës, ato nuk do të mund të rimbursohen për zbritjet e aplikuara.
Për shoqëritë që përmbushin kushtet, AKUK do të përllogarisë dhe shpërndajë fondet në përputhje me të dhënat e raportuara nga shoqëritë përkatëse. Gjithashtu, do të realizohet një mbikëqyrje e vazhdueshme për të siguruar që fondet të përdoren siç është planifikuar dhe për të garantuar që subvencioni të arrijë te ata që kanë më shumë nevojë. (A2 Televizion)