Enkelejd Musabelliu, zv/Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, njoftoi se do të ketë rishikim të skemës së pensioneve.
“Skema e pensioneve kur është bërë ka pasur 3 synime atëherë. Duhej të garantohej mundësia e rritjes së pensioneve, duke hequr pensionin tavan; duhej reduktuar informaliteti në tregun e punës; duhej reduktuar edhe dificiti i skemës së pensioneve. Kjo skemë nuk ka dështuar”, tha fillimisht Musabelliu në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Numri i kontribuesve është rritur deri në 900 mijë aktualisht dhe janë rritur rrjedhimisht të ardhurat nga kontributet. Kjo ka bërë të mundur që të jepen pensione më të larta. A janë aq të larta sa për të garantuar një jetesë të denjë për pensionistët? Nuk janë. Prandaj po diskutohet për një ndërhyrje të re në sistemin e pensioneve në mënyrë që të adresojë këto çështje që kanë dalë. Patjetër që nuk bëhet një ligj dhe të rrijë 100 vite pa ndryshuar sepse është dizenjuar në mënyrë perfekte. Do ketë rishikim të skemës së pensioneve dhe po punohet për këtë rishikim. Ne kemi një problem demografik për shkak të rënies së lindshmërisë dhe për shkak të faktit që jemi në një raport pothuajse 1 pensionist për 1 kontribues”, shtoi zv/Ministir i Ekonomisë dhe Inovacionit. (A2 Televizion)