1.3 tonë kokainë në Itali, goditet klani shqiptar. Gjykata e Breshias 24 masa, SPAK arreston oficerin e antiterrorit

Nga Igli Çelmeta
27 Nëntor 2025, 17:58 | Kronikë

Një operacion i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe shqiptare ka çuar në goditjen e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës. Gjykata e Brescias ka lëshuar 24 masa sigurie, ndërsa 9 prej tyre janë ekzekutuar në territorin italian.

Paralelisht, me urdhër të SPAK, në Tiranë është arrestuar edhe oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i dyshuar për lidhje me klanet shqiptare të narkotrafikut. Sipas hetimit, gjatë kohës që punonte në Forcat Operacionale, ai dyshohet se ka dekonspiruar veprimet hetimore. Haxhiaj u ndalua në ambientet e Akademisë së Sigurisë, ku po ndiqte një kurs për Antiterror, shkruan A2.

Operacioni synonte goditjen e disa klaneve shqiptare që akuzohen për trafikun drejt Italisë të rreth 1.3 tonëve kokainë gjatë viteve 2020–2025. Hetimi, i zhvilluar nga Prokuroria Antimafia e Brescias, është rezultat i pesë viteve punë të specializuar, të mbështetur në përgjime telefonike dhe biseda të përgjuara mes anëtarëve të grupit. Në total, 49 persona janë vënë nën hetim, 46 prej të cilëve shqiptarë.

Sipas autoriteteve, rrjeti funksiononte me bazë në Shqipëri dhe me degëzim në Itali. Grupi dyshohet se siguronte drogë nga Amerika e Jugut, të cilën e sillte drejt Europës përmes porteve të mëdha në veri të kontinentit. Më pas, lënda narkotike transportohej drejt Italisë me kamionë, e fshehur në mjete të rënda, ndërsa heroina shkonte nga Shqipëria drejt Italisë përmes linjave të autobusëve. Mediat italiane raportojnë se shoferët e autobusëve zakonisht nuk ishin në dijeni të ngarkesës, ndërsa ata të kamionëve ishin bashkëpunëtorë të klaneve.

Pas mbërritjes në Itali, shpërndarja e drogës bëhej nga anëtarë shqiptarë të grupit, përmes 6 bazave logjistike që shërbenin si qendra magazinimi dhe furnizimi. Dy prej pikave kryesore ndodheshin në provincat Rovato dhe Palazzolo të Brescias. Nga këto qendra administrohej edhe qarkullimi i parave të fituara, të cilat ktheheshin drejt Shqipërisë përmes linjave të autobusëve Itali–Shqipëri.

Gjatë hetimit, autoritetet kanë sekuestruar 550 mijë euro, 10 automjete dhe 130 kilogramë kokainë dhe heroinë, me një vlerë tregu prej 12 milionë euro. Në kuadër të operacionit janë kryer mbi 35 kontrolle në disa qytete të Italisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos