“200 mijë bluza, jo euro, ishte kohë fushate”, debate në gjyqin e Ilir Metës: Kujdes me mua, fol mirë!

Nga Armand Bajrami
11 Maj 2026, 15:42 | Kronikë

“200 mijë bluza, jo euro, ishte kohë fushate”, debate

Në seancën e sotme në gjyqin ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe të pandehurve të tjerë, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, ka paraqitur në mënyrë të përmbledhur akuzat. “Duke mbajtur në konsideratë edhe kërkesën për gjykim të shkurtuar për ata që e kanë paraqitur këtë kërkesë. Procedimi u regjistrua në vitin 2019, në bazë të kallëzimit të Romeo Karës, i cili kallëzonte zotin Meta se ka influencuar vetë dhe nëpërmjet lidhjeve të tij për finalizimin e marrëveshjes CEZ-DIA”, u shpreh ai.

Meta ndërhyn: Për korrektesë, CEZ nuk është kompani private, por shtetërore.

Kllapi: Dhe si rrjedhojë ka përfituar nga Kastriot Ismailaj. Më pas, në vitin 2022, është regjistruar kallëzimi nga Idajet Beqiri për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Më pas edhe kallëzimi i Halit Valterit. Secili nga këto procese u bashkuan në një.

Avokati i Metës: Ec tek fletët ku flet Rama në Parlament më mirë.

Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi: Më 22 qershor 2009, i pandehuri i ka dërguar Kastriot Ismailajt mesazhin: “Më duhen 200 mijë, mos harro.”

Ndërhyn avokati i Metës dhe Kryemadhit: “200 mijë bluza”, mos harro.

Avokati i Metës: Se ishte kohë fushate, mos harro.

SPAK: Avokat, ulu.

Avokati i Metës: Me mua kujdes, fol mirë, korrigjohu.

Gjykata: Qetësi.

Prokurori Arben Kraja: Që kur ka nisur seanca, ne nuk kemi ndërhyrë as nuk kemi folur. Kërkojmë barazi në gjykim.

Gjykata: Sapo ndërhyra dhe kërkova qetësi.

Meta: Me leje për procedurë. Meqenëse prokurori ka dëshirë të merret me CEZ-DIA-n dhe meqenëse personat e tjerë nuk janë të përfshirë në këtë, ose të ndalemi këtu ose të vijojmë.

Avokati i Metës: President, është procedurë.

Kllapi: Më 19 nëntor 2023 është ushtruar kontroll, ndër të tjera edhe në banesën e Fatime Kryemadhit. Ndër të tjera është sekuestruar edhe një aparat telefonik, të cilit i është kryer ekspertiza. Janë marrë prova që hedhin dritë mbi faktet penale. Në këtë banesë janë sekuestruar edhe dy mandate pagese, ku rezulton që një pjesë e çmimit për një banesë në Bllok është paguar më shumë. Meta dhe Kryemadhi kanë pasur njohje me Ardian Shatkun.

SPAK: Meta dhe Kryemadhi kanë marrë përsipër të ushtrojnë presion për çështjen CEZ-DIA, që kompania e Shatkut të futet në treg.

SPAK: Për fibrat optike dhe marrëveshjen e interkonjuksionit me Vodafone.

SPAK: Ata kanë ndikuar tek zoti Haxhinasto që ai të nxjerrë një urdhër, konkretisht urdhrin e datës 20 mars 2015 të ministrit të Transportit, zotit Haxhinasto, nëpërmjet të cilit është bërë ndryshimi i një urdhri tjetër për rrjetin e fibrave optike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos