
Prokurori Sotir Kllapi paraqiti argumentet e SPAK për mbajtjen në paraburgim të Ilir Metës, duke deklaruar se mbrojtja e ish-presidentit nuk paraqiti asnjë provë se çfarë ka ndryshuar, por vetëm argumente të përgjithshme.
“Mbrojtja ju referua vendimit unifikues të 4 majit. Nëse nuk ka asnjë rrethanë që ka zbutur nevojat e sigurimit, apo dyshimin e arsyeshëm ne mendojmë se nuk ka asnjë rrethanë të ndryshuar. Veprimtaria kriminale për të cilën akuzohet i pandehuri Ilir Meta shtrihet nga 2009 deri ne 2017 dhe për veprën e “deklarimit të rremë” është akuzuar vetëm njëherë. Një periudhë e gjatë kohore. Ne mendojnë se rrezikshmëria shoqërore është evidente”, tha prokurori, përcjell A2 CNN.
Ai hodhi poshtë edhe pretendimin e avokatit të Metës, se vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë legjitimonte lirimin e kryetarit të Partisë së Lirisë. “Në këto rrethana vendimi unifikues nuk sjell asgjë të re në këtë proces. Nuk ka zbutje të nevojave të sigurimit. Kushtetuesja ka shqyrtuar proporcionalitetin e masës dhe e ka konsideruar proporcionale. Kërkesa e të pandehurit për zëvendësim të masës është e pabazuar në ligj dhe prova. Kërkojmë rrëzimin e saj”, shtoi ai. (A2 Televizion)