
Ish-Presidenti Ilir Meta u paraqit sot në ambientet e reja të GJKKO-së, ku po zhvillohet gjyqi në themel ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë.
Ndërsa gjykata u shpreh se kemi të bëjmë me një seancë publike, avokati i ish-Presidentit, Kujtim Cakrani, reagoi i pakënaqur me kushtet.
“Jo, ju s’po bëni gjykim publik. Edhe salla është e vogël. Mbase do të vijë gjitha partia...s’ka vend. Ka vend vetëm për 30 veta”, tha ai.
Pas pyetjes së së gjykatës: "Pra ka të tjerë që kanë ardhur e nuk hyjnë dot?”, Monika Kryemadhi tha: “Po. Ja për shembull Miranda Rira, pedagoge. S’është Miranda vetëm, janë 200 veta”.
Avokati Cakrani pyeti gjykatën ku e keni dinjitetin me sallat e reja, ku ish-Presidenti i vendit shfaqet sërish në kafaz.
“Ja dinjiteti njerëzor, presidenti në kafaz me xhama. Ku e keni dinjitetin me këto sallat e reja, ja ku janë tenderat. Presidenti në kafaz. Me kë talleni ju s'jemi budallenj", tha ai.
Cakrani ka kërkuar lejimin e transmetimit direkt të gjyqit. “Të lejohet transmetimi direkt. Çdo vendim kufizimi të jetë i motivuar, parashikuar nga konventat e të drejtave të njeriut. Çdo kërkesë që bëjmë, e kërkojmë të arsyetuar bashkë me atë që bëmë seancën e kaluar për kafazin”. (A2 Televizion)