
Gjykata e Posaçme la në qeli ish-Presidentin Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësim mase, raporton A2CNN.
Më herët prokurori Sotir Kllapi hodhi poshtë pretendimin e avokatit të Metës, se vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë legjitimonte lirimin e kryetarit të Partisë së Lirisë.
Prokurori vuri në dukje se rrezikshmëria shoqërore është evidente dhe nuk ka rrethana për zbutjen e masës së sigurimit. Po sot pritet të mbahet edhe seanca e gjyqit në themel ndaj Metës dhe të pandehurve të tjerë të dosjes.
Ish-presidenti kërkoi nga Gjykata e Posaçme t’i zëvendësojë masën “arrest në burg”, në të cilën qëndron prej tetorit 2024, me atë të “garancisë pasurore”, “detyrimit për paraqitje”, ose “ndalimit të daljes jashtë vendit”.
Më 4 maj Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e radhës për liri të ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, ndërsa më herët, të gjitha kërkesat e tij për zbutje të masës, në të tre shkallët e gjykimit, janë refuzuar. (A2 Televizion)