Policia e Durrësit ka proceduar një 40-vjeçari, i cili kishte futur 2000 lekë te dokumentet e makinës që i kishte dhënë efektivit të Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e gjobës, shkruan A2 CNN.
“Gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi, në rrugën “Martin Camaj”, automjetit me drejtues shtetasin D. L., 40 vjeç, banues në Fier, i cili u kap duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit. Për të shmangur masën administrative për këtë shkelje, ai iu ka ofruar punonjësve të Policisë, 2000 lekë”, tha policia.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për 40-vjeçarin, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)
