Kishin dalë për gjah, arrestohen 5 persona në Shkodër, iu sekuestrohen armë dhe një shpend

Nga A2 CNN
24 Tetor 2025, 12:54 | Kronikë

Kishin dalë për gjah, arrestohen 5 persona në Shkodër, iu

Gjuetia e paligjshme në Shkodër ka çuar në pranga pesë persona. Policia bën me dije se të pestë janë arrestuar në flagrancë gjatë natës, teksa ishin duke kryer gjueti në fshatin Rragam, në kundërshtim me moratoriumin. 

Në momentin e ndalimit atyre iu janë gjetur në automjet 2 armë gjahu, 1 pistoletë, 1 pushkë, municion luftarak, 1 dron dhe 1 shpend i vrarë. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të arrestuarve, u gjet një sasi kanabisi.

“Gjatë kontrolleve, në fshatin Rragam, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 5 shtetas që kryenin gjueti të paligjshme. Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas, u gjetën: 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë gjahu teke, 1 armë gjahu shotgan, municion luftarak, 1 dron dhe 1 shpend i vrarë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. M., shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Satia, e cila u sekuestrua gjithashtu në cilësinë e provës materiale.  Në përfundim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasit:  E. F., 30 vjeç, E. M., 36 vjeç, K. D., 36 vjeç, V. N., 29 vjeç dhe S. S., 23 vjeç, të gjithë banues në Shkodër”, njofton policia.

Mbi këta pesë shtetas rëndojnë akuzat për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër” si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos