
Një 29-vjeçar që duhej të ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ka rezultuar autor i disa vjedhjeve në qytet, duke vepruar me dy persona të tjerë. Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Masa”, duke vënë në pranga autorin kryesor dhe një nga bashkëpunëtorët e tij.
I arrestuari A. T., 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4, i dënuar më parë dhe i ndaluar për një aksident me pasojë vdekje në vitin 2022, kishte thyer masën e sigurisë dhe sipas hetimeve kishte vijuar të kryente vjedhje. Në pranga ra edhe M. Ç., 30 vjeç, ndërsa një bashkëpunëtor i tretë është ende në kërkim.
Sipas burimeve hetimore, më 18 nëntor 2025, gjatë natës, të tre personat kanë depërtuar në një lokal në lagjen nr. 18, pronë e shtetasit L. K., prej ku kanë marrë sende të ndryshme me vlerë rreth 300 mijë lekë të vjetra. Punonjësit e Hetimit të Krimeve kanë kryer një hetim të shpejtë që çoi në identifikimin dhe ndalimin e dy autorëve.
Gjatë operacionit u sekuestruan automjeti që përdorej për transportimin e sendeve të vjedhura dhe veshjet me të cilat autorët maskoheshin gjatë grabitjeve. (A2 Televizion)
