I dënuar më parë për vrasje, lëvizte i armatosur, arrestohet Petrit Mernica. I biri vrau efektin e policisë në Fier

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2025, 13:07 | Kronikë

I dënuar më parë për vrasje, lëvizte i armatosur,

Policia e Shtetit ka arrestuar një 57-vjeçar të rrezikshëm, i dënuar më parë për vrasje, i cili lëvizje në Fier me armë pa leje, shkruan A2 CNN. Në pranga ra Petrit Mernica, i cili është edhe babai i Azgan Mernicës, i riu që vrau efektivin e Forcave Shqiponja në Fier, 1 vit e gjysmë më parë.

Aksioni u ndërmor pas informacioneve operative për një shtetas që lëvizte i armatosur në zonë. Gjatë kontrollit në një lokal në fshatin Fermë Çlirim, efektivët ndaluan dhe kapën në flagrancë shtetasin Petrit Mernica, banues në fshatin Sulaj. Gjatë kontrollit, atij iu gjet në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë dhe dy krehera, secili me nga 7 fishekë, të gjithë me municion luftarak.

Menjëherë pas ndalimit dhe kryerjes së veprimeve procedurale, specialistët e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan 57-vjeçarin, i cili rezulton të ketë qenë i dënuar më parë për vrasje.

Arma e zjarrit dhe municionet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos