5 piromanë të dënuar në 4 vite, “zjarri” i Ramës ndaj zjarrvënësve u “fik” në sallat e gjyqit

Nga Armand Bajrami
28 Korrik 2025, 18:53 | Kronikë

“Më vjen mirë që Policia e Shtetit ka arritur të çojë prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, të cilët nuk meritojnë të jenë të lirë. Meritojnë të kalben prapa hekurave. Shpresoj shumë që gjykatat do të japin vendimet e duhura”. Deklarata e shtatorit 2021 të kryeministrit Edi Rama erdhi pas një vere plot zjarre në territorin e vendit.

Në stinën e nxehtë të viteve pasues zjarret zhuritëm mijëra sipërfaqe metër katrorë të gjelbëruar në vend, ndërsa ndëshkimi i autorëve nga drejtësia nuk bëri as tym e as flakë, shkruan A2 CNN.

Gushtin e dy viteve më vonë, më 2023, kryeministri Rama u shfaq më i ashpër, duke ju bërë thirrje publike gjyqtarëve e prokurorëve të zbatonin rreptësisht ligjin dhe konsideruar si skandaloze qasjen e tyre. “Ende mungon ndëshkueshmëria e plotë, si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshgme të disa prokurorëve dhe gjykatësve nëpër rrethe, të cilët mesa duket s’ka atdhe, s’ka fe, s’ka din e as iman, që i frenon në krimin e tyre të indiferencës antiligjore ndaj një krimi si zjarrëvënia mbi një pasuri kaq të vyer, që është e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, po edhe e mbarë njerëzimit”.

Zjarri i thirrjeve kryeministrore nxehu policinë për të vënë para përgjegjësisë persona të dyshuar. Por çështjet s’mbajtën flakë kur shkuan në gjyq, ku përfunduan fare pak nga të dyshuarit, ndërsa u dënuan edhe më pak.

Referuar Raporteve vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme mbi kriminalitetin në vend, nga viti 2021 deri në vitin 2024, drejtësia ka dënuar 5 persona në total për zjarrvënie në pyje.

Në të gjitha rastet, zjarret kanë qenë nga pakujdesia. Në një analizë të veprave penale të “shkatërrimit të pyjeve me zjarr” dhe të “shkatërrimit nga pakujdesia me zjarr të pyjeve” rezulton se në vitin 2021 në rang vendi janë regjistruar në total 40 hetime penale.

Të gjitha këto hetime kanë përfunduar me vetëm 2 persona të dërguar në gjyq si të pandehur, nga të cilët nuk është dënuar asnjë. Në vitin 2022 dhe 2023, totali i hetimeve ka qenë përkatësisht 34 dhe 26, ndërsa numri i të dënuarve zero. Numri zero i të dënuarve për zjarr me apo pa dashje në pyje është prishur vetëm në vitin 2024.

Edhe për zjarret e vitit 2025, Policia e Shtetit ka njoftuar disa arrestime personash në anë të ndryshme të vendit, si të dyshuar për zjarrëvënie, por duket se sfida më e madhe se arrestimit duket dokumentimi i ngjarjeve dhe provimi i tyre në gjykatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos