Deputeti socialist, Taulant Balla, ka deklaruar se është një lajm i mirë që Sali Berisha po akuzohet për korrupsion dhe fshehje të pasurisë. “Në bankën e të akuzuarve ka persona të cilët, këto 35 vite, kanë qeverisur vendin, kanë qenë Presidentë të Republikës dhe akuzohen për korrupsion e fshehje të pasurisë. Ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Unë uroj që procesi të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penale të shkojë te gjithkush nga personat që i kanë këto përgjegjësi”, tha Balla për gazetarët pasi përfundoi dëshminë në GJKKO për çështjen “Partizani”.
“Kujtoj këtu që unë nuk jam nga ata persona që kam bërë një kallëzim penal me emër tjetër. E kam vënë emrin tim në fund të atij kallëzimi dhe i kam qëndruar përgjatë gjithë deklarimeve të mia kallëzimit penal, të bërë në nëntor të vitit 2020. Sot jemi pas gjashtë vitesh. Ka një shprehje të bukur: “Drejtësia vonon, por nuk harron”. E vërteta është që privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani”, fushat sportive dhe godinat, të cilat sot mund të ishin në dobi të djemve dhe vajzave, të rinjve të Tiranës për aktivitete sportive, sot janë shndërruar në shtatë–tetë kulla, të cilat kanë prodhuar pasuri”, shtoi Balla.
Ai u shpreh se shpreson të thirret të dëshmojë edhe për çështjen e “21 Janarit. “Shpresoj shumë që edhe kjo çështje të ecë dhe të më jepet mundësia, si dëshmitar, sepse kam qenë në protestën e 21 Janarit, të jem pjesë edhe në këtë çështje”.
I pyetur nëse kryeministri Rama do të paraqitet si dëshmitar në këtë çështje, Balla u përgjigj: “Paraqitja është përgjegjësi individuale. Për kallëzimet që kam bërë, janë përgjegjësi e imja individuale dhe mbaj përgjegjësi për to. Këtë e thashë edhe para gjykatës”. (A2 Televizion)