
Policia ka sekuestruar disa pajisje elektronike që shërbenin për organizimin e lojërave të fatit në dy lokale të zbuluara në Tiranë. “Blutë” kanë arrestuar pronarin e një prej lokaleve, ndërkohë që është proceduar penalisht punonjësi i lokalit tjetër, raporton A2CNN.
Në njoftim thuhet: “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të kontrolleve në lokale dhe subjekte të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të përshtatjes së tyre për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, konstatuan se në 2 lokale viheshin baste sportive nëpërmjet kompjuterave dhe celularëve”.
“Për këto raste: -u arrestua shtetasi E. Gj., 28 vjeç, pasi në lokalin e tij, në rrugën “Frederik Shiroka”, u gjet kompjuter në të cilin ishin instaluar programe për lojëra fati; -u procedua penalisht shtetasi B. K., 20 vjeç, pasi gjatë kontrollit në lokalin ku ai punonte, iu gjetën në celular, aplikacione për baste sportive. Kontrollet kundër kësaj veprimtarie vijojnë”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)