A2 CNN futet brenda shtëpisë së barit në Vlorë

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
20 Shkurt 2025, 15:08 | Kronikë

Pavarësisht rasteve të zbuluara, tentativat për të përshtatur banesa me qëllim kultivimin e bimëve narkotike nuk reshtin.

Rasti më i fundit i zbuluar në Vlorë, në lagjen “24 Maji”, mund të cilësohet unik për faktin se është tentuar që brenda qendrave të dendura të banimit dhe pranë drejtorive lokale të përshtatet një apartament si shtëpi bari.

Një qepen i mbyllur gjatë gjithë kohës dhe ku afishohej një lajmërim për dhënie të ambientit me qira, kamuflonte aktivitetin, pasi hyrja ishte nga një derë tjetër e vogël. A2 CNN është futur brenda ambienteve të kësaj banese, ku shihen qartë pajisjet dhe përshtatjet që janë bërë për kultivimin e kanabis sativa.

Edhe pse ky apartament ka kaluar në sitën dhe kontrollet e policisë, sërish gjenden shenja të dukshme të bimëve që janë kultivuar.

Në lidhje me këtë rast, policia e Vlorës ka njoftuar se ka ndaluar një person me banim në Lezhë, ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër me banim në Fier, i cili dyshohet të jetë edhe pronari i ambientit të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos