A2 zbardh draftin. Amnistia, kush del nga burgu dhe kujt i ulet dënimi

Nga Armand Bajrami
4 Shkurt 2026, 23:33 | Kronikë

Plot 10 mijë vetë në total pritet të preken nga amnistia penale që ndodhet tashmë në duart e qeverisë.

A2 ka siguruar draftin e ligjit, që në rast miratimi mund të nxjerrë nga qelitë e burgut gati 390 të burgosur, të zbusë dënimin për gati 1000 vetë dhe të përjashtojë nga ndjekja penale mijëra të tjerë.

Por, cilët janë ata që lirohen menjëherë nga burgu? Sipas projektligjit, nga burgu do të dalin të gjithë burrat e dënuar deri në 3 vjet burg dhe gratë e dënuara deri në 4 vjet, ose dënime më të buta, me kusht që dënimi të jetë i formës së prerë të dhënë deri më 31 dhjetor 2025.

Po ashtu, fitojnë lirinë edhe burrat që deri datën e hyrjes në fuqi të ligjit u kanë mbetur pa vuajtur dënim deri 3 vite burg dhe gratë deri në 4 vite burg.

Amnistia nxjerr nga burgu dy kategori të moshuarish, burrat që në datën e hyrjes në fuqi të ligjit janë baras ose mbi 60 vjeç dhe gratë që janë baras ose mbi 50 vjeç. Liri përfitojnë edhe ata që në kohën e kryerjes së veprës penale qenë baras ose nën 18 vjeç.

Referuar draftit, amnistia nuk jep asnjë përfitim për personat e dënuar nga Gjykatat e Posaçme, apo nën hetim nga SPAK, si edhe të dënuarit përjetë, apo të dënuarit për krime të rënda si vrasje, krime sekuale, apo krime zgjedhore.

Për ata që nuk plotësojnë kushtet për t’u liruar, por që nuk janë dënuar për krime të rënda, projektligji parashikon një reduktim të kohës që do të kalojnë në qeli. Konkretisht, grave dhe të miturve u ulet dënimi me 1 vit e gjysmë, ndërsa burrave me 1 vit.

Më shumë se 8 mijë vetë, që po hetohen apo gjykohen për një sërë veprash që dënohen deri në 3 vite burg, do të përfitojnë shuarje të hetimit apo gjykimit.

Amnistia nuk nxjerr nga qelia dhe nuk i ul dënimin asnjë të dënuari që i është fshehur drejtësisë.        (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos