
Aksident i rëndë në aksin rrugor Korçë - Bilisht. Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatrave Progër dhe Mançurisht ku ka humbur jetën 79-vjeçari Haki Rusi, nga fshati Mançurisht si dhe ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit që ka shkaktoi këtë aksident, shkruan A2 CNN.
Burime për A2 CNN thanë se 79-vjeçari ka qenë duke lëvizur me një mjet të shërbimit publik nga qyteti i Bilishtit drejt Korçës dhe është ndalur së bashku me bashkëfshatarë të tjerë në kryqëzimin ku ndodhi dhe aksidenti.
Sapo është ulur nga mjeti i shërbimit publik i moshuari ka tentuar të kalojë në krahun tjetër të rrugës ku kishte lënë biçikletën, por kalimi ka qenë fatal për të pasi është përplasur nga një mjet tip Benz duke e lënë të vdekur në vend poshtë një tjetër mjeti të parkuar.
Burime thanë se drejtuesi i mjetit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara, aq sa pas goditjes ka vazhduar ecjen për me shume se 30 metra të tjera duke përfunduar në kanalin në anë të rrugës nacionale.
Policia po heton për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Duhet thënë se kryqëzimet e aksit rrugor nga Bilishti deri tek kryqëzimi i Plases janë kryqëzime me aksidente të shumta me pasojë vdekjen gjatë këtyre viteve. (A2 Televizion)