Pas refuzimit të kërkesës së opozitës për mocion me debat në Kuvend lidhur me ish-drejtoren e SHISH, Vlora Hyseni, ka reaguar edhe kreu demokrat Sali Berisha. Nga foltorja e kuvendit Berisha akuzoi mazhorancën se po bllokon të drejtën kushtetuese të opozitës për debat “skandalin më të rëndë” në historinë e Shërbimit Informativ Shqiptar.
"Padrino i vendit urdhëroi shkelmimin e drejtës kushtetuese të opozitës, të deputetëve për mocion me debat për skandalin më të rëndë, më të rëndë në historinë 100 e ca vjeçare të shtetit shqiptar, implikimin direkt të shefes së shërbimit në veprimtari kriminale me kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë, nëpërmjet koordinatorit të këtyre karteleve Ergys Agasit. Që ju të bllokoni një mocion të tillë. Identifikoni veten".
Sipas Berishës, Vlora Hyseni ishte e implikuar në veprimtari kriminale dhe ishte në shërbim të armiqve të Shqipërisë. Sipas tij kryeministri Edi Rama ka përgjegjësi politike lidhur me emërimin e saj.
“Vlora e Hysseni ta dinë shqiptarët u emërua këshilltare e padrinos me rekomandim direkt të Aleksandër Vuçiç u emërua pasi presidenti dhe qeveria e Kosovës e karkuan atë si të padenjë për detyrën që i kishin besuar. Vlora Hyseni nuk kishte në figurën e saj asnjë virtyt, asnjë kriter, asnjë kusht që të emërohej në atë vend veçse ishte shërbëtore e armiqve të Shqipërisë. Ky ishte kriteri që u emërua. Vlora Hyseni pas emërimit fluturimthi shkoi në Beograd. Do të ishte Beogradi, kryeqyteti i parë që do vizitonte kjo drejtuese e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni, që kur është emëruar në atë detyrë kontrollohej totalisht nga Gys Agasi”.
Berisha tha gjithashtu se opozita i ka denoncuar më herët këto çështje, ndërsa akuzoi deputetët e mazhorancës si përçues të së keqes banale.
“Opozita i ka denoncuar të gjitha këto në kohë reale kur kanë ndodhur, por natyrisht debati do të nxirrte të gjithë veprimtarinë kriminale të Edi Ramës, Vlora Hysenit dhe bashkëpunëtorëve të saj. Tipike e mafies, ju heshtni para përgjegjësive të mëdha të atij institucioni. Padrino hesht, sikur Vlora Hyseni ishte krejtësisht e izoluar, s'kishte asnjë lloj lidhje në atë institucion. Ajo ka kryer veprimtari kriminale ndaj shtetit, ndaj punonjësve të Shërbimit Informativ, ndaj bashkëpunëtorëve të shërbimit informativ që kanë kryer detyrat. Qëllimi i saj ka qenë të përmbushë porositë e Vuçiçit dhe t'i shërbejë padronit të ri, argatit të tij. Si mundet ju të damkosni në këtë mënyrë Shërbimin Informativ kombëtar për të mbrojtur kriminelë në krye të tij? Historia e saj është një histori e Edi Ramës, e Padrinos. Cili shqiptar do të emëronte? Cili kryeministër në Europë dhe në botë do të emëronte shef shërbimi i një person të shkarkuar nga shefe shërbimi i një vendi tjetër? Kjo bëhej vetëm me urdhër. Kjo bëhej vetëm me urdhër të Vuçiçit. I keni vurë e ju fallangat e Vuçiçit në Tiranë se si kalojnë nga një studio në studio tjetër dhe betohen e stërbetohen për kokën e e Padrinos dhe Vlora Hysenit. A jeni shqiptar ju? A keni ju qoftë edhe një nanogram, atdhetari, interes kombëtar, siguri kombëtare? Çfarë jeni ju? Çfarë jeni ju? Si mund të pranoni një errësirë të tillë? Jeni shtruar të gjithë në përçues të të keqes banale”.
(A2 Televizion)