Një alarm për lëndë plasëse vuri në lëvizje policinë mesditën e së dielës në "Lagjen 18" në Korçë, pasi dyshohej se ishte vendosur poshtë automjeti.
Zona u rrethua menjëherë nga forcat e rendit, por me mbërritjen e forcave xheniere dhe pas verifikimeve të imtësishme, rezultoi se në makinë nuk kishte eksploziv, por ishte montuar një pajisje lokalizuese GPS.
Me largimin e rrezikut për shpërthim, ngjarja ka kaluar në duart e grupit hetimor si një rast i survejimit të paligjshëm. Deri më tani mbetet e paqartë se kush e ka vendosur pajisjen dhe cili ka qenë qëllimi i ndjekjes së pronarit të mjetit.
Policia ka sekuestruar pajisjen GPS si provë materiale dhe ka nisur këqyrjen e kamerave të sigurisë së bizneseve dhe banesave përreth. Ekziston dyshimi se autori mund të jetë pikasur nga kamerat duke vepruar gjatë natës
Në njoftimin e Policisë thuhet: "Rreth orës 09.00 të datës 17.05.2026, në lagjen nr. 18, Korçë, në rrugën “Petraq Shomo”, në gomën e pasme të automjetit në pronësi të shtetasit G. P., është konstatuar një pako, e cila dyshohej se mund të kishte lëndë eksplozive. Policia rrethoi zonën për të mbajtur larg perimetrit të rrezikut banorët përreth. Në vendngjarje shkuan Forcat Xheniere për të vlerësuar situatën dhe për të kryer procedurat e nevojshme. Nga kontrolli i kryer nga këto shërbime, rezultoi se objekti i vendosur në automjet ishte një aparat GPS dhe jo lëndë plasëse. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personit që ka vendosur aparatin GPS".
(A2 Televizion)