
Forca të shumta policie kanë rrethuar një automjet në lagjen 18 të qytetit të Korçës, pas dyshimeve për praninë e një lënde shpërthyese, raporton A2CNN.
Alarmi është dhënë pas një telefonate që sinjalizonte për një objekt të dyshimtë në rrugën “Petraq Shomo”. Menjëherë në zonë mbërritën efektivët e policisë, të cilët izoluan perimetrin dhe nisën kontrollet për verifikimin e mjetit.
Paraprakisht dyshohet për një pako me eksploziv brenda automjetit, ndërsa pritet ndërhyrja e specialistëve për këqyrjen e detajuar.
Ndërkohë, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të banesave dhe bizneseve pranë vendngjarjes, me qëllim identifikimin e personave që mund të kenë lidhje me rastin.


(A2 Televizion)