
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, priti në takim ambasadorin e Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, i cili i dorëzoi letrën e urimit nga homologja holandeze, Janny Knol.
“Shpreh konsideratën time më të lartë për ju dhe Policinë e Shtetit shqiptar, dhe ju uroj shumë suksese në detyrën tuaj. Policia holandeze dhe Policia e Shtetit, bashkëndajnë angazhimin e lartë në luftën kundër krimeve ndërkufitare. Marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona po forcohen vazhdimisht dhe jam e bindur se, nën drejtimin tuaj, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Holandës do të vijojë të prosperojë”, thuhet në letrën e drejtoreshës së Policisë holandeze.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese holandeze në luftën kundër krimit ndërkufitar, përfshirë arrestimet, ekstradimet, shkëmbimin e inteligjencës kriminale dhe sekuestrimin e aseteve kriminale.
Hita shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, ndërsa ambasadori Vos garantoi mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për Policinë e Shtetit dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. (A2 Televizion)