Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të ashpërsojë me një vit dënimin me 5 vjet e 8 muaj burg të dhënë nga Shkalla e Parë ndaj ish-ministrit Lefter Koka në çështjen e inceneratorit të Elbasanit.
Ndërsa për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, njëkohësisht ish-Sekretar i Përgjithshëm në ministrinë e Kokës, Apeli rrëzoi pafajësinë që fitoi në Gjykatën e Posaçme. Në vendimin përfundimtar të shpallur të premten, treshja e Apelit e përbërë nga gjyqtarët Ilirjana Olldashi, Saida Dollani dhe Engert Pëllumbi vlerësoi se Koka e Bllako ishin fajtorë edhe për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, për të cilën meritonin dënim me nga 4 vjet burg secili.
Kjo masë dënimi e çoi dënimin përfundimtar të ish-ministrit të fajësuar edhe për “korrupsion” e “pastrim të parave” në 10 vjet burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht për këtë çështje duhet të vuajë 6 vjet e 8 muaj. Ndërsa për Bllakon dënimi përfundimtar nga Apeli është 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Për biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, ende në kërkim nga drejtësia, Shkalla e Dytë konfirmoi dënimet përfundimtare me nga 6 vjet e 8 muaj burg për akuzat e “korrupsionit të funksionarëve të lartë” dhe “pastrimit të parave”.
Njëlloj mbeti në fuqi dënimi me 4 vjet e 8 muaj për Stela Gugalljen, partneren e Mërtirit, administratore e inceneratorit të Elbasanit, si edhe dënimet ndaj ish-anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Koncensionit. Vendimi i Apelit nuk cenoi vendimin për konfiskimin e kompanive të biznesmenëve të inceneratorëve “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services” dhe asetet e tyre të tundshme e të patundshme dhe asetet e ish-ministrit Koka në një shoqëri aksionere, në një vlerë të barabartë me ryshfetin që pretendohet të ketë marrë.
Sipas SPAK, janë gati 3 milionë euro të përfituara në mënyrë të paligjshme nga ish-ministri i Mjedisit, në këmbim të favorizimit të kompanisë koncensionare në inceneratorin e Elbasanit. Shumat e parave janë lëvruar përmes krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në incenerator, që nuk kryheshin në të vërtetë, por vetëm në letra, duke përdorur disa shoqëri tregtare që kontrolloheshin në mënyrë të tërthortë prej tij apo njerëzve të afërt.
Aktualisht, Koka dhe Bllako janë të dënuar nga Shkalla e Parë edhe për inceneratorin e Fierit, ndërsa janë të akuzuar edhe për inceneratorin e Tiranës. (A2 Televizion)