
Policia e Kuçovës ka vënë në pranga dy persona, gjatë kontrolleve për identifikimin e autorit të vendosjes së lëndës plasëse një biznesi ditën e djeshme në lagjen Postobllok. Sipas Policisë njëri prej tyre kishte përshtatur lokalin për shpërndarjen dhe përdorimin e lëndëve narkotike, si dhe mbante armë zjarri automatik, ndërsa në banesën e 27-vjeçarit u gjet kanabis.
“Në vijim të kontrolleve të ushtruara për identifikimin e autorit/ve të vendosjes së lëndës plasëse në një biznes ditën e djeshme, si dhe për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, pas informacioneve të marra në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Kompleks”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: K. K., 41 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Dimal; K. Z., 27 vjeç, banues në fshatin Tapi, Kuçovë”, njofton Policia.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e lokalit që 41-vjeçari kishte në posedim, ku gjetën dhe sekuestruan: 1 armë zjarri automatik, një sasi lënde narkotike kanabis, 1 peshore elektronike, 30 fishekë luftarak.
Ndërkohë, në banesën e 27-vjeçarit, i cili ndodhej me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për prodhim e shitje të lëndëve narkotike dhe drejtim mjeti pa leje, u gjet një sasi tjetër kanabisi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)
