
Operacioni i koduar “The Wanted” ka çuar në arrestimin në Dubai të 5 shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.
Sipas Interpol Tiranës, në pranga kanë rënë Kristo Qirici, Shkëlzen Kraja, Ilir Lazri dhe Aleks Pepaj të cilët dyshohen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, ndërsa Merxhan Çeliku për mashtrim kompjuterik.
Ata janë arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, ndërsa vijojnë procedurat dhe bashkëpunimi me autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Njoftim i Interpol Tirana
Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit me homologët në Abu Dhabi, janë kapur në Dubai dhe janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 5 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të kërkuar nga SPAK-u.
-4 nga këta shtetas, konkretisht K. Q., 44 vjeç, Sh. K., 44 vjeç, I. L., 30 vjeç, A. P., 38 vjeç, janë të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
-Shtetasi M. C., 34 vjeç, është i dyshuar për mashtrim kompjuterik.
Gjithashtu, vijon bashkëpunimi për verifikimin e një shtetasi tjetër shqiptar që ndodhet në Dubai, i cili dyshohet se përdor dokumente false.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit në Shqipëri, të 5 shtetasve të kapur në Dubai. (A2 Televizion)