Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë mbi kriteret e caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg”, nuk i erdhi në ndihmë ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Gjyqtarja e Posaçme, Elsa Ulliri, i u përgjigj negativisht të hënën kërkesës së tij për lirim nga paraburgimi, shkruan A2 CNN.
Në Gjykatën e Posaçme Beqaj kërkoi zëvendësim të masës “arrest në burg”, caktuar ndaj tij në korrik të vitit 2024, për llogari të hetimit të dosjes “SASPAC”. Ish-ministri kërkoi ndryshimin e masës ekstreme të sigurisë në një masë më të butë, përfshirë edhe garancinë pasurore prej 2 mln lekësh. Kërkesa e ish-ministrit u bazua në vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë, mbi kriteret e caktimit të masave të sigurisë.
Në përfundim të shqyrtimit që zgjati tri seanca, gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës si të pabazuar në ligj dhe në prova. Beqaj nuk ishte i pranishëm në shpalljen e vendimit, ku u përfaqësua nga avokatët e tij.
Aktualisht Beqaj po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup kriminal” në dosjen “Sterilizimi”. Paralelisht, ai është i pandehur në dosjen “SASPAC”, ku akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë “korrupsionin” dhe “pastrimin e parave”, çështje që ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak. (A2 Televizion)