Në kuadër të operacionit policor “Sundimi i Ligjit”, forcat e rendit në Korçë kanë vënë në pranga një 33-vjeçar të shpallur në kërkim për disa vepra penale.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, ka organizuar një aksion për arrestimin e shtetasit M.D., banues në Korçë. Ky individ ishte shpallur në kërkim që prej datës 27 shtator 2024, pasi dyshohet se kishte refuzuar t'i bindet urdhrit të Policisë për të ndaluar automjetin e tij, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, shkruan A2.
Pas një kontrolli të kryer me urdhër të Gjykatës së Korçës, në banesën e të dyshuarit u gjetën dhe sekuestruan dhjetëra doza të lëndës narkotike, të dyshuara si kokainë, si dhe një peshore elektronike. Hetimet gjithashtu treguan se 33-vjeçari merrej me organizimin e lojërave të fatit të paligjshme, përmes telefonit celular. (A2 Televizion)