Arrestohet hajduti serial në Durrës

Nga A2 CNN
25 Tetor 2025, 09:31 | Kronikë

Arrestohet hajduti serial në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar një 37-vjeçar nga Tirana, i akuzuar për disa vjedhje të ndodhura më parë në qytetin bregdetar, raporton A2 CNN.

Pas një pune të gjatë hetimore, të mbështetur në informacione operative dhe në administrimin e pamjeve filmike nga zonat ku ishin kryer vjedhjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës bënë të mundur kapjen në flagrancë të një 37-vjeçari nga Tirana, i identifikuar me inicialet V. K..

Sipas Policisë, i arrestuari qarkullonte me biçikletë në lagje të ndryshme të Durrësit, ku thyen xhamat e automjeteve të parkuara dhe vidhte sende personale, para apo pajisje elektronike. Pas kryerjes së vjedhjeve, ai përdorte automjetin e tij për të fshehur dhe transportuar sendet e vjedhura.

Hetimet kanë zbuluar se V. K. është autor i të paktën pesë vjedhjeve të ndodhura në lagjet nr. 6, 8 dhe 12 të qytetit, ku janë dëmtuar automjete në pronësi të shtetasve Xh. B., J. B., S. Q., L. K. dhe Xh. M.. Nga këto vjedhje janë marrë shuma parash, laptopë dhe objekte të tjera personale.

Megjithatë, dyshohet se 37-vjeçari mund të jetë përfshirë edhe në disa raste të tjera të ngjashme, për të cilat hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale.

Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.

Operacioni “Refleksi” është pjesë e një serie masash të Policisë së Shtetit për parandalimin dhe goditjen e vjedhjeve, si dhe për rritjen e sigurisë publike në zonat urbane të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos