Gjykata Kushtetuese ka shpallur ditën e sotme mbarimin e mandatit të anëtares Sonila Bejtja, në datën 25.04.2025.
Pas konstatimit të Kushtetueses, vendimi i përcillet Presidentit Bajram Begaj, i cili pritet të hapë garën për plotësimin e vakancës në këtë gjykatë, shkruan A2 CNN.
E vënë në lëvizje nga një kërkesë e presidentit Bajram Begaj për rastin e mandatit të anëtares Sonila Bejtja, me shumicë votash, gjykata vendosi më 16 tetor t'i japë përparësi parimit të ripërtëritjes së trupës së saj, çdo tre vjet me nga 3 anëtarë.
Për këtë arsye, Kushtetuesja vendosi që “fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson”.
Kështu, gjykata interpretoi se konkretisht 3 gjyqtarët që zëvendësohen në vitin 2025 janë: Holta Zaçaj, Elsa Toska dhe Sonila Bejtja. (A2 Televizion)
