I njëjti skenar, e njëjta dinamikë, vetëm se ndryshon emri i viktimës që ishte shënjestër e atentatit të radhës, që kësaj radhe u zhvendos në qytetin e Elbasanit.
Biznesmeni Edmond Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, ka mbetur i vrarë mbrëmjen e së djelës pranë pikës së karburantit në pronësi të tij, në unazën juglindore të Elbasanit. Sipas të dhënave nga vendngjarja, 43-vjeçari është qëlluar me armë sapo ka hipur në mjetin e tij tip Range Rover, shkruan A2.
Dyshohet se atentatorët e kanë pritur shënjestrën e tyre dhe sapo e kanë parë që ka hipur në mjetin e tij, janë afruar duke e qëlluar me armë. Plumbat rezultuan fatale për biznesmenin, i cili ka mbetur i vrarë në vend.
Pas atentatit, autorët kanë vijuar lëvizjen në drejtim të Librazhdit me mjetin tip Audi ngjyrë e zezë, mjet të cilin e kanë djegur disa kilometra më tej pranë kthesave të Murrashit, shumë pranë rrugës nacionale, duke humbur në këtë mënyrë gjurmët e ndjekjes policore.
Sipas burimeve nga grupi i hetimit, atentatorët dyshohet të jenë me pagesë, pasi kanë qenë mjaft të saktë në qitjet që kanë bërë duke shënjestruar maksimalisht viktimën në pjesët më jetike, në kokë dhe kraharor.
Policia ka sekuestruar dhe po analizon edhe pamjet e kamerave të sigurisë në vendngjarje, të cilat janë të shumta, ndërsa mbetet për t’u vlerësuar edhe e kaluara e viktimës.
Grupi i hetimit, i drejtuar nga Prokuroria e Elbasanit, ka nisur marrjen e dëshmive edhe nga të afërm të viktimës. (A2 Televizion)