Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish- efektivin e RENEA-s, Altin Morina.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Sipas SPAK, Morina akuzohet se bashkëpunoi me Durim Bamin për kultivim droge kryesisht në zonën e Niklës dhe të Tapizës.
Ky bashkëpunim, thoshte SPAK, është bërë gjatë kohës që Morina ishte punonjës i Policisë së Shtetit, në repartin Renea. 45-vjeçari akuzohet për veprën penale kultivim të bimëve narkotike, e kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Ish-efektivi është arrestuar edhe më herët nga policia. Në mars të vitit 2023 ai u prangos pasi në makinën me të cilën po lëvizte në zonën e Kodrës së Diellit iu gjetën 113 mijë euro. Më pas gjykata e la të lirë duke caktuar detyrim paraqitje, pasi Morina pretendonte se shuma e parave ishte marrë hua tek një miku i tij biznesmen, për arsye shëndetësore. (A2 Televizion)