Bllokimi i rrugës së Rinasit, procedohen 19 protestues, sekuestrohen dy automjete

Nga A2 CNN
16 Qershor 2026, 11:20 | Kronikë

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 19 protestues, të cilët akuzohen se organizuan dhe nxitën bllokimin e aksit rrugor drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas gjatë ditës së 15-të të protestës.

Gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta raporton se, personat e proceduar konsiderohen drejtues dhe organizatorë të tubimit, të cilët u bënë thirrje pjesëmarrësve të lëviznin nga zona para Kryeministrisë drejt aeroportit, duke penguar qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve në këtë aks rrugor.

Ata akuzohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Në kuadër të hetimeve, policia ka sekuestruar edhe dy automjete që dyshohet se janë përdorur nga protestuesit gjatë marshimit drejt Rinasit.

Burime nga policia bëjnë me dije se 19 protestuesit janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë, pa pasur asnjë person të arrestuar apo ndaluar në lidhje me këtë ngjarje.

Sipas autoriteteve, ndryshe nga 14 protestat e mëparshme, ku marshimet zhvilloheshin në rrugët e kryeqytetit sipas itinerarit të njoftuar, protesta e 15-të ndryshoi skenar, duke u zhvendosur drejt aeroportit. Pas procedimeve penale, organizatorët kanë deklaruar se protestat do t’i rikthehen itinerarit të zakonshëm në Tiranë.

Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë të përfshirë në bllokimin e rrugës drejt aeroportit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos