
Policia e Pogradecit ka çuar për ndjekje penale 8 persona, të cilët një ditë më parë bllokuan rrugën, për të penguar kalimin e mjeteve në aksin rrugor “Qukës-Qafë Plloçë”. Sipas tyre rruga e re u bllokon daljen nga banesat e tyre duke i detyruar të lidhen me aksin nacional në një pikë më të largët.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit A. A., 46 vjeç, K. H., 25 vjeç, L. H., 39 vjeç, G. H., 58 vjeç, D. H., 60 vjeç, A. H., 35 vjeç, A. H., 33 vjeç, O. S., 41 vjeç, banues në fshatrat Dunicë dhe Trebinjë, pasi dje, gjatë zhvillimit të një proteste, në aksin rrugor “Qukës-Qafë Plloçë”, në fshatin Kalivaç, kanë tentuar të bllokojnë rrugën, për të penguar kalimin e mjeteve”.
Gjatë bllokimit të aksit Qukës–Qaf Plloçë nuk munguan as incidente të vogla mes banorëve dhe drejtuesve të mjeteve. (A2 Televizion)
