
Gjykata e Korçës ka ndryshuar masën e sigurisë për shtetasit Leonidha Guçe dhe Denis Meçe, të përfshirë në vrasjen e Egli Progës në 10 gusht të vitit 2024.
Sipas burimeve të A2CNN brenda Gjykatës së Korçës, për këta shtetas ka përfunduar afati i paraburgimit dhe gjykata ka caktuar ndryshimin e masës në “Arrest shtëpie” deri në përfundimin e hetimeve.
Aktualisht, çështja ka ngrirë në zbardhjen e kamerave të sigurisë të sekuestruara në lokal “Stropcka” ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa pamjet filmike të fshira janë çuar jashtë Shqipërisë për ekspertim dhe për rikthim të tyre.
Por, duket se vonesa në dokumentimin e plotë të ngjarjes është bërë shkak që pala mbrojtëse e Denis Meçes dhe Leonidha Guçes të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë për ta.
Aktualisht, pritet që ata të ndjekin vijimësinë e hetimeve jashtë qelisë, ndërsa ata akuzohen për vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)
