
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar deklarimin fajtor të M. Përlleshajt, 14 vjeçarit, të akuzuar për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit Martin Cani pranë shkollës "Fan Noli" në kryeqytet.
Për shkak të moshës së mitur të të pandehurit, prokuroria i ka kërkuar gjykatës të mbajë parasysh nenin 97 të Kodit për të Miturit, që detyron përgjysmimin e masës së dënimit, shkruan A2 CNN.
Vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024, në Tiranë, rreth 200 metra larg shkollës “Fan Noli”.
Konflikti mes dy adoleshentëve kishte nisur tri ditë para ngjarjes, brenda ambienteve të shkollës për motive të dobëta. Edhe pse në dukje ishte shuar, konflikti u rindez sërish brenda shkollës.
Të dy të miturit u përplasën në tualetet e shkollës gjatë paradites kur ndodhi ngjarja dhe debatuan ashpër, por u ndanë nga roja i sigurisë, shkruan A2 CNN.
Pas mësimit, të shoqëruar nga miqtë e tyre, ata u takuan pranë shkollës, ku konflikti u përshkallëzua në një përleshje fizike, duke përfunduar me vrasjen e Martinit dhe plagosjen e Luis Meçes. (A2 Televizion)
