Bushkolaj: Konfliktet ndodhin në BE, larja e hesapeve bëhet në Shqipëri

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 22:48 | Kronikë

Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se konfliktet ndodhin në vendet e Bashkimit Europian, por larja e hesapeve ndodh në vendin tonë.

“Ka një gabim nëse ne Policinë e Shtetit e shohim të shkëputur nga hallkat e tjera. Këtu e kam fjalën për prokurorinë, për gjykatat, nga sipërmarrja, nga shoqëria civile, nga media... Ne shohim që kemi masivisht një ekonomi të kriminalizuar dhe nga kjo ekonomi e kriminalizuar nuk kemi imunitet as ne që jemi në këtë studio dhe jo më armata e Policisë së Shtetit. Më kujtohet një atentat në burgun e Peqinit, ka qenë mos gaboj në 2013. U vra një person i cili po rikthehej në burg për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit që i kishin mbetur shumë pak muaj. Atëherë zoti Rama tha se krimi po lan hesapet e fundit përpara se shteti të shtrëngojë dorën dhe të çlirojë Shqipërinë nga bandat dhe nga grupet kriminale. Pastaj, pak më vonë erdhëm te deklarata tjetër “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”, që nuk është dinjitoze për një kryeministër që ka luksin që të emërojë ministrin e Brendshëm, drejtorin e pPlicisë dhe gjithë strukturat e tjera. Pastaj, kaluam tek hedhja e fajit te gjykatat, pra që policët i arrestojnë, i çojnë para drejtësisë dhe gjykatat i lirojnë dhe prandaj ka kaq shumë vrasje. Kaluam te KÇK-ja. E bëmë edhe atë Reformën në Drejtësi. Bëri drejtësinë siç deshi. Erdhëm te vetting-u i policisë. Tani, është gabim që Policinë e Shtetit ta fajësojmë për gjithçka që ndodh këtu. Duhet të kërkohet edhe një llogari deri në nivelet më të larta”, tha Bushkolaj.

“Këtu duhet të dalin qytetarët në protestë në raport me këto ngjarje se nëse keni vënë re ngjarjet e fundit kriminale kanë qenë në kufijtë e masakrave. Ngjarja e Shkodrës ishte në kufijtë e masakrës, në mes të qytetit, përpara Bashkisë. Ngjarja e 8 tetorit të vitit të kaluar në Shkodër ka qenë në kufijtë e masakrës, me katër të vdekur. Dhe të gjitha këto kanë një element të përbashkët: tregojnë fuqinë financiare të krimit të organizuar apo të grupeve kriminale që marrin përsipër t'i bëjnë këto ngjarje. Fuqia financiare e tyre është ekspozuar dhe te ky korruptimi masiv i instancave ligjzbatuese. Dhe nëse nuk do ndërpritet kjo fuqi financiare, kam përshtypjen që situata do vijojë dhe të përkeqësohet. Ka dhe diçka. Ai erdhi nga Barcelona. Pse nuk u vra në Barcelonë? U vra në Shqipëri se në Barcelonë është shumë e vështirë të bësh vrasje të këtij niveli. Pse konfliktet ndodhin në vendet e Bashkimit Europian dhe vetëm larja e hesapeve ndodh në Shqipëri? Absolutisht që vitet e fundit kanë filluar edhe për shkak të ekspansionit, se kemi pasur vrasje dhe në Amerikën Latine. Janë tetë shqiptarë që janë vrarë nga përplasjet në Amerikën Latine. Qytetarët prej vitesh e kanë humbur tashmë besimin për shkak se edhe qytetarët shohin lajme. Ata kur shohin që një drejtor policie është shofer i një trafikanti droge që është në kërkim ndërkombëtar, automatikisht humb besimi për ta thirrur numrin e policisë. Për fat të keq duhet ta pranojmë që nuk ka pasur një vullnet. Ndërkohë, nga ana tjetër dhe opozita nuk ka qenë në lartësinë e duhur të kërkesës së llogarisë në raport me këtë se çfarë po ndodh. Nuk ka qenë në lartësinë e duhur qoftë me komisione parlamentare për shembull”, shtoi gazetari Elkier Bushkolaj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos