
GJKKO ka rrëzuar sot kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, që kërkonte pezullimin e dënimit me 2 vite burg dhe rikthimin në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, raporton A2CNN.
Kujtojmë që Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin me dy vite burg për Goron, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që ai të rikthehet në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Sipas përllogaritjeve të prokurorisë, ish-kryebashkiakut i kanë mbetur edhe “6 muaj e 10 ditë burg” për të shlyer.
NJOFTIMI
Kërkuesi Jorgo Goro me datë 31.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pezullimin e ekzekutimit të Vendimit nr. 53, datë 30.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenin 476 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 258, datë 05.05.2026, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit, të dënuarit Jorgo Goro, me objekt: “Shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit nr. 53, datë 30.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pambështetur në prova dhe ligj.
2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. (A2 Televizion)