Nga Kodi Penal i Zogut deri sot, Florjan Kalaja sjell studim të ri për bashkëpunëtorin e drejtësisë

Nga Igli Çelmeta
5 Maj 2026, 17:37 | Kronikë

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Florjan Kalaja ka botuar librin e tij më të ri një studim mbi institutin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, shkruan A2CNN. 

Në promovimin e librit të Kalasë ishin të pranishëm personalitete të shumta të drejtësisë dhe jurispudencës shqiptare. Në librin “Bashkëpuntori i Drejtësisë” Florjan Kalaja analizon katër ligjet kryesore që e konturojnë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, te të cilat gjen mungesë koherence.

Libri për të cilin autori u nxit nga një rast konkret dhe që u përmbyll pas një pune tre vjeçare analizon dhe Kodin e Ri Penal, ndërsa tregon sugjerimet dhe kritikat e tij.

Në libër, gjyqtari ndalet te mënyra si individualizohet përgjegjësia penale e Bashkëpunëtorit të Drejtësisë, se si i ofrohet marrëveshje dhe si zhvillohet në të gjitha fazat e procesimit penal. Veprën e tij Florjan Kalaja ia dedikoi mikut të tij, gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra në sallën e gjyqit në tetor të vitit 2025.

Juristët vlerësuan punimin e Kalasë si një studim që mund t’u shërbejnë ligjvënësve dhe studentëve të Drejtësisë. Gjyqtari i Apelit të GJKKO Florjan Kalaja ka një përvojë të gjatë në sistemin gjyqësor, si ndihmës magjistrat në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën e Apelit të Shkodrës e të Durrësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos