Sekuestrohen pasuri krimi, 4 pronat në emër të të dënuarit për mashtrim me Call Center

Nga Xhensila Kodra
25 Shkurt 2025, 13:01 | Kronikë

Sekuestrohen 1.2 milionë euro pasuri në emër të një 42-vjeçari i dënuar për mashtrim kompjuterik në bursa me Call-Center. Kërkesa për sekuestro u dha nga SPAK dhe u firmos nga Gjykata e Posaçme. Pasuritë ishin në emër të Erjon Kasmit.

Bëhet fjalë për 4 pasuri të paluajtshme, e konkretisht 1 apartament, 2 vendparkime për automjete dhe 1 subjekt tregtar, pasuri të cilat dyshohet se janë krijuar nga veprimtari kriminale e Kasmit, si organizator i një kompanie call center-i.

Erjon Kasmi u dënua nga GJKKO me 11 vite burg si organizator i skemës mashtruese. Sipas hetimeve rezultoi se nga mashtrimi i qindra shtetasve në BE i është shkaktuar një dëm prej 7 milion eurosh. Hetimet nisën që në 2021, ku shtetas gjermanë, francezë, italianë, spanjollë dhe grekë ftoheshin nga agjentët, që të investonin në bursa ndërkombëtare, duke bërë depozitimin e parave sipas udhëzimeve të tyre, në platformat mashtruese. Këto depozita nga viktimat bëheshin në llogari të cilat kanë rezultuar se gjenden në banka të vendeve të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro, ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Nga hetimet u provua se një pjesë e parave të depozitave të viktimave kanë përfunduar në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri. Bashkë me Erjon Kasmin u dënuan dhe 12 persona të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos