"E mora Alibejn i thashë do e vras", Nuredin Dumani tregon detaje nga ekzekutimi i Bujar Çelës

Nga Armand Bajrami
25 Shkurt 2025, 12:06 | Kronikë

"E mora Alibejn i thashë do e vras", Nuredin Dumani tregon detaje

Në Gjykatën e Posaçme është duke u zhvilluar seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”, ku i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani po i përgjigjet pyetjeve të avokatëve të të pandehurve në proces.

Ai ka rrëfyer njohjen e tij me Erion Alibej dhe sesi u kontraktua prej tij për të kryer disa nga vrasjet e bujshme që tronditën Elbasanin.

A2 CNN ka zbardhur bisedën mes avokatit dhe të penduarit të drejtësisë, teksa ky i fundit ka rrëfyer dhe konfliktet me Talo Çelën, të cilin dikur e kishte mik, por i ekzekutoi vëllain në rrethrrotullimin e Bradasheshit.

Dumani ka folur në seancë edhe për telefonat e inkriptuar. “Kam pas Sky ECC edhe MATRIX, dolën pastaj edhe “BQ”. Unë i kam dhënë prokurorisë gjithë pinet dhe pseudonimet e mia”, është shprehur i penduari i drejtësisë.

PJESE NGA SEANCA GJYQESORE:

Avokati Hasa: Kur e ke njohur Erion Alibej?

Dumani: Janar shkurt 2020.

Avokati Hasa: Ç’marrëdhënie krijuat?

Dumani: Shoqërore. E kam takuar gjithmonë tek shtëpia e tij.

Avokati Hasa: Keni thënë që ai kishte zbuluar ata që i vranë vëllanë dhe se do hakmerrej. Kur e vendosët se do të hakmerreshit?

Dumani: Në fillim për Erion Alibeaj më ka vënë në dijeni Elio Bitri, se po interesohej për mua. Jemi takuar disa herë me Bitrin. Më tha që Erion Alibej mendon se ju keni gjuajtur. Unë e mohova, se nuk kisha lidhje. Unë duke qenë i sigurt që nuk kisha lidhje dhe as vëllai kam kërkuar takim. Elio komunikonte me Arjan Spahiun, që nuk ishte në Shqipëri në atë kohë. Më ka kërkuar Elio një natë. Erdhi Elio më mori. Takuam Arjan Spahiun. Më bëri kontroll fizik, pasi do takonim mikun e tij. Me një Mercedes shkuam tek një pallat ku takova Erion Alibeajn.

Avokati Hasa: Në cilin moment vendosët të hakmerreshit drejt vrasësve të vëllait të Alibeaj?

Dumani: Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Alrin Ndoci deshi të vrasë vëllanë tim, por ju bllokua arma. Unë doja ta ndihmoja të shkonin ata, jo t’i vrisja unë. Pasi u takuam vendosa ta ndihmoja.

Avokati Hasa: Kur u bë kjo bisedë?

Dumani: Pasi qëndruam 2-3 orë. Që herën e parë.

Avokati Hasa: Keni thënë që hartuat një listë?

Dumani: Pasi mësova që Alibeaj po hetonte për Talo Çelën dhe pata një bisedë me Fatmit Troplinin vendosëm që do godisnim ne të Durrësit. Unë kisha parë lëvizjet e Dorian Shkozës. E shikoja që më vinte pas me makina të ndryshme. Franc e Hajdar Çopja nuk ishin aty. Kel Kamami nuk ishte aty.

Avokati Hasa: Keni treguar dhe për vrasjet e Emikiano Ramazanit dhe Rigers Runajt? Kur e vendosët?

Dumani: Ishte verë 2020. Ishin shumë emra për t’u vrarë në Elbasan. Nuk kishim radhë, por kush të dilte para do të eliminohej. Emiliano Ramazani u bë i pari. Në Elbasan unë informacion merrja veç nga Elio Bitri. Emiliano Ramazani shkonte në një palestër në Elbasan. Kishim informacion të brendshëm nga aty. Alibeajt i vinin foto herë pas here edhe për Bujar Çelën dhe Emiliano Ramazanin. Alibej vendosi edhe ca kamera në një pallat aty. Në vijimësi më sillte foto, përmes SKY.

Avokati Hasa: Ç’marrëdhënie kishte Alibej me Julian Hoxhajn?

Dumani: Shoqërore. Alibej e paguante për informacionet që i sillte Julian Hoxhaj. I jepte lekë. Njëherë më ka thënë Erioni që i ka dhënë 20 mijë euro.

Avokati Hasa: Kush të ndihmoi në vrasjen e Emiliano Ramazanit?

Dumani: Informacion merrja nga Alibej, por kisha edhe Henrik Hoxhën, që dinte lëvizjet dhe makinat e Emiliano Ramazanit. Ne kishim informatore një instruktore palestre. Ajo na jepte informacion me telefon për lëvizjet e tij, kur ikte nga palestra.

Avokati Hasa: Kush e mori vendimin për vrasjen e Rigers Runajt?

Dumani: Erion Alibej e mori.

Avokati Hasa: Kur vendosët të vrisni Bujar Çelën dhe arsyeja?

Dumani: Ishte vendosur më herët. Ato ditë po shikonim ku rrinte Dine Çami. Si duket ai i kishte marrë masat. U vendos kur u vra shoku im i fëmijërisë Klevis Kapllani, më 15 shtator, në mos gaboj. Lija mjetet e punës tek shtëpia e tij, pasi e njihja mirë zonën.

Më njoftoi Enver Diva se e kishin vrarë Kapllanin. Dola nga shtëpia e Arjan Spahiut dhe kam shkuar aty afër me Enverin dhe Xhixhën. Kaluam afër. E pamë makinën të qëlluar me plumba. Ikëm deri në Rrogozhinë dhe kur u kthyem mora Alibejn dhe i thamë se do e vrisja Bujar Çelën.

Më 16 në darkë, mos gaboj, shtator, u bëmë gati. Morëm 2 makinat që kishim në disponim, të dyja të vjedhura. Pritëm jashtë atë natë. Unë nuk kisha fjetur fare, që kur u vra Klevisi.

Unë i dija lëvizjet e Bujarit. Nga Elio e dija se ku pinte kafe çdo ditë. Unë nuk i shkova tek shtëpia, por afër qëndroi Enver Diva dhe Besian Xhixha. Unë nuk doja të afrohesha në zonë. U duk sikur ranë në sy dhe lëvizëm drejt Cërrikut. Unë ju thashë "ore ai do dali për kafe". U kthyem dhe pasi furnizova mjetin me karburant shkuam dhe e gjetëm atje tek kafja.

Avokati Hasa: E ke njohur bashkëshorten e Xhulian Hoxhës?

Dumani: Po.

Avokati Hasa: Me çfarë komunikonit me Erionin dhe bashkëshorten e Xhulianit.

Dumani: Me SKY.

Xhulian Hoxha (i pandehur): Më herët Dumani ka thënë që unë i kam shërbyer grupit Çapja. Kujt i kam shërbyer unë.

Dumani: Emër nuk di.

Xhulian Hoxha: Po ku e di ti.

Dumani: Në fillim më ka thënë Erioni. Por më vonë më ka thënë edhe Suel Çela. Ai kishte një dokument, deklarim, që sipas tij i kishte shërbyer Çapjave.

Xhulian Hoxha: Ti më ke parë vetë me sytë e tu?

Dumani: Jo, unë vetë jo. Nuk të kam takuar ndonjëherë. Çfarë më ka thënë Erioni dhe Sueli.

Xhulian Hoxha: A jemi parë ndonjëherë?

Dumani: Po, jemi shkëmbyer tek pallati.

Xhulian Hoxha: Ku i kisha kamerat tek shtëpia.

Dumani: Tek dera e shtëpisë tënde kishte kamera.

Xhulian Hoxha: Më ka parë me sytë e tij të marr lekë nga Alibej?

Dumani: Unë vetë jo, por diskutoja me Alibejn.

Xhulian Hoxha: Nuk kam asnjë lidhje me këto ngjarje. Drejtësia ta zbardhi çështjen. Jemi të pafajshëm. Është një person tjetër që ka folur dhe prokurori e di mirë. Unë kam qenë në burg kur kanë ndodhur vrasjet për të cilat akuzohem.

Avokati Hasa: Sa telefona keni pasur?

Dumani: Kam pasur shume telefona, pasi sa mbaroja një ngjarje i ndërroja.

Xhulian Hoxha: Alibej a ka pasur njohje me grupin Çapja?

Dumani: Njohje ai mund të ketë, se ka me gjithë Elbasanin, por njohje nuk di të ketë pasur. Suel Çela më çoi ne aplikacionin “MATRIX” me foto një procesverbal të një dosje hetimore, ku Xhuljan Hoxha dilte lidhje e grupit Çapja. Do ta shikoni kur të hapet MATRIX-i. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos