Dhuna ndaj kamarierit 18-vjeçar, avokati i policit: Hetim të plotë ngjarjes, pamjet janë cunguar

Nga Ornela Joti
28 Korrik 2025, 14:58 | Kronikë

Pas ngjarjes së rëndë në qytetin e Vlorës, ku një punonjës policie qëlloi një kamarier 18-vjecar për arsye banale, ka reaguar përfaqësuesi ligjor i efektivit.

Avokati Kujtim Cakrani kërkon një hetim të plotë të ngjarjes ku, sipas tij, janë serviruar pamje të cunguara. Një ditë më parë, siç duket edhe nga pamjet që tronditën mbarë opinionin publik, 18- vjeçari që punonte kamarier në një bar-hotel në Vlorë, është qëlluar brutalisht nga një person që ishte i shoqëruar nga zyrtari i policisë Ardian Isufi, shkruan A2.

Në fakt, ishte ky i fundit që nisi konfliktin me kamarierin duke e kapur në fytyrë për shkak se 18-vjeçari u kishte çuar një shishe ujë më tepër. Pas publikimit të pamjeve, drejtori i përgjithshëm i policisë pezulloi nga detyra efektivin, ndërsa kryeministri Edi Rama urdhëroi largimin e tij nga radhët e policisë dhe ndjekje penale.

Ndërkaq, efektivi Ardian Isufi ndodhet në spital për shkak se është dhunuar nga pronari i hotelit, pasi këtij të fundit i kishin qëlluar kamarierin 18-vjeçar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos