Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg me afat 45 ditë për 3 personat që ushtruan dhunë ndaj vajzës 29 vjeçare.
Astrit Bajrami 60 vjeç babai i vajzës, Ervin Bajrami, vëllai i vajzës dhe Armand Janka, burri i 29 vjeçares do të qëndrojnë pas hekurave deri në përfundimin e hetimeve.
Prokuroria kërkoi arrest në shtëpi, por fakti që të gjithë personat jetonin në një ambient ka bërë që gjykata të vendosë arrest në burg 45 ditë.
Ndërkohë, pasi kanë dalë nga salla e gjyqit, dy avokatët e çështjes, Edmond Dema dhe Romarjo Meminaj kanë theksuar se vajza prej moshës 2 vjeçare vuante nga epilepsia. Ndërsa kanë kërkuar nga policia që përpara se të dalë me njoftim zyrtar duhet të bëjë hetime.
Vajza nuk ishte e fejuar, por e martuar dhe me një fëmijë 5 vjeç. Prej kohësh kurohej te neurologu dhe kishte shfaqur probleme. Sipas avokatëve, nuk është hera e parë që policia arreston persona pa kryer hetime përkatëse dhe kjo është mungesë profesionalizmi. (A2 Televizion)