
Bashkim Rajku, babai i reperit Noizy, dëshmoi të mërkurën në Gjykatën e Posaçme në procesin e bandës së Laert Haxhiut. Mes 15 episodeve kriminal që i faturon SPAK të dyshuarve është edhe “shkatërrimi me eksploziv” i një lokali në pronësi të Rigles Rajkut dhe të atit në zonën e Currilave në Durrës, ngjarje e ndodhur në 8 qershor 2022. Për eksplozivin e vendosur 4 vjet më parë në lokalin në pronësi të reperit dhe të atit, SPAK akuzon të penduarin e drejtësisë, ArtanTafani dhe të pandehurit Lulëzim Spahia e Erisiano Abedini.
Dëshmia e Bashkim Rajkut për ngjarjen
Prokurori: Ju apo familjare tuaj, keni pasur ndonjë aktivitet shërbini në lagjen 13 ne Durrës?
Rajku: Po. Një dyqan rrobash.
Prokurori: Ishte investim i juaji?
Rajku: Po. Vajza ime është administratore, unë pronar i biznesit.
Prokurori: Ka ndodhur diçka këtu?
Rajku: Po ka ndodhur, diku ne 2022. Unë kam qenë në gjumë kur ndodhi ngjarja. Dëgjuam një shpërthim. Shkova poshtë dhe e gjeta lokalin të shkatërruar.
Prokurori: Kush punonte në atë dyqan?
Rajku: Janë stafi, por kur ndodhi ngjarja ishte i mbyllur.
Prokurori: Djali juaj, cili është dhe më çfarë merret?
Rajku: Rigels Rajku. Është muzikant. Djali jeton në të njëjtin pallat, por në një apartament tjetër.
Nuk e mbaj mend nëse atë natë ishte aty.
Prokurori: Çfarë vutë re kur zbritët poshtë?
Rajku: Ishin thyer xhamat. Gjithë pjesa e parme dhe dëmtuar edhe pjesa pas. Nuk mbaj mend a pati kamera, por roje pallati nuk ka pasur.
Prokurori: Fole me djalin për këtë? More ndonjë mendim prej tij, se kush e ka bërë?
Rajku: Nuk e di. Ne konflikt me njeri nuk kemi, por tani, çështje xhelozie, çështje rinie, nuk e di. Ne pas 4 vjetësh e kam dëgjuar në TV, se as nuk e dija kush mund ta kishte bërë.
Prokurori: A e keni dëgjuar emrin Kleviol Ahmeti?
Rajku: Emrin Kleviol Ahmeti e kam dëgjuar. E di që është artist, merret me muzikë, me rrjetet sociale. Më duket se kanë pasur fërkime të vogla, punë xhelozie, konkurrence. Më duket se nga Lushnja është.
Prokurori: Xhelozi për çfarë?
Rajku: Për punë muzike. Veç kësaj nuk di të ketë pasur ndonjë konflikt fizik, apo verbal.
Vetë Noizy nuk u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme. Për të do të përsëritet fletëthirrja. Ndërkohë, për seancën e 28 majit, do të njoftohen edhe disa dëshmitarë të tjerë përfshi Kleviol Ahmetaj, reperi i njohur si “Cllevio”. (A2 Televizion)