SPAK njoftoi të martën përfundimin e hetimit dhe dërgimin në gjyq të 24 personave, të dyshuar si anëtarë të një grupi kriminal, mes të cilëve Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës.
Të pandehurit akuzohen për trafikim të tonelatave të kokainës nga Amerika Latine në Europë dhe pastrim të parave të drogës përmes investimeve në pasuri të patundshme në Shqipëri, shkruan A2.
Hetimi i grupit ka nisur në vitin 2019, nga një skuadër e përbashkët hetimore e SPAK dhe Prokurorisë së Antimafias në Bari, Itali, dhe është ndihmuar nga zbërthimi i komunikimeve mes të pandehurve në aplikacionin SKY ECC.
Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën e Posaçme, Elvis Doçi, Olgert Shqevi dhe Endrit Tafili akuzohen për “trafik të narkotikëve”, “pastrim të parave”, “grup kriminal” dhe “kryerje të veprave nga organizata kriminale”.
14 të tjerë, mes të cilëve Ekil Nderjaku dhe Altin Morina, akuzohen për trafik droge e grup kriminal, ndërsa shtatë të tjerë për pastrimin e parave, në formën e grupit kriminal.
SPAK shpjegoi se grupi kriminal operonte nga territori shqiptar me degëzime në Itali, duke organizuar importimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës dhe lëndëve të tjera narkotike që vinin nga Amerika e Jugut me destinacion vendet e Bashkimit Europian.
Të ardhurat e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i trafikimit të lëndëve narkotike transportoheshin me shofera të autobusave të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve. Kjo për ta bërë të vështirë gjurmimin e tyre si edhe për të shmangur detyrimet ligjore apo shlyerjen e taksave që janë detyrim i deklarimit të burimit të tyre.
Për llogari të hetimit, në 10 episode të ndryshme është sekuestruar një total prej gati 3 ton kokainë, nga të cilat 2020 kg në një sekuestrim të vetëm në Roterdam Holandë dhe 932 kg në Reggio Calabria në Itali, si edhe 675 kg kanabis në Bari dhe Rimini.
Në kuadër të këtij hetimi janë sekuestuar 4 milionë euro cash, si edhe 21 pasuri të patundshme me një vlerë prej gati 12 milionë euro. (A2 Televizion)