Në seancën e sotme gjyqësore për dosjen “Partizani”, avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, paraqiti një kërkesë paraprake për shpalljen e pavlefshmërisë së akuzës dhe të gjithë akteve që rrjedhin prej saj.
“Kërkojmë konstatim të pavlefshmërisë absolute të vendimit për marrjen të pandehur, komunikimin e akuzës dhe çdo akt që rrjedh prej tij”, tha Gjokutaj.
Sipas tij, prokuroria ka tejkaluar kompetencat kushtetuese duke shprehur opinione politike dhe jo duke përfaqësuar interesat e shtetit. “Ngritja e akuzës nuk është kryer në funksion të ushtrimit të kompetencës së saj. Prokuroria nuk ka përfaqësuar interesat e shtetit, por të një force politike, me qëllim mbajtjen në pushtet të saj”, deklaroi avokati, shkruan A2 CNN.
Gjokutaj shtoi më tej se prokuroria ka marrë përsipër të vlerësojë cilësinë e qeverisë, çka sipas tij, nuk është kompetencë e saj ligjore. (A2 Televizion)