
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon këtë të hënë shqyrtimi i dosjes “Partizani”, me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK.
Para trupit gjykues dëshmoi Violeta Shqevi, e cila tha se në vitin 2007 ka qenë e punësuar në Ministrinë e Kulturës dhe Sporteve, ku ka mbajtur edhe detyrën e drejtoreshës së sportit. Ajo deklaroi se ka pasur gjithashtu rolin e koordinatores së Strategjisë së Sportit 2008-2020.
A2CNN ka zbardhur dëshminë e Shqevit, sipas së cilës, klubi shumësportësh “Partizani” administrohej nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa futbolli trajtohej veçmas. Ajo sqaroi se institucioni ku punonte menaxhonte klubin shumësportësh, me përjashtim të ekipit të futbollit.
Shqevi u ndal edhe te asetet e klubit, duke deklaruar se “Partizani” dispononte disa objekte, përfshirë një godinë dykatëshe dhe ndërtesa të tjera. Megjithatë, sipas saj, pronat nuk ishin të regjistruara dhe kishte paqartësi lidhur me pronësinë e tyre.
“Kur u shfaqën shqetësime për disa banorë që kishin zaptuar prona, nuk kemi pasur asnjëherë informacion të qartë për pronarët. Drejtoria që drejtoja u kërkoi drejtuesve të merrnin masa për regjistrimin e tyre”, deklaroi dëshmitarja.
Ajo foli edhe për ndryshimet ligjore të vitit 2007 në ligjin për sportin, duke theksuar se ato u konsideruan si një zhvillim pozitiv për sektorin.
“Në lidhje me ndryshimet ligjore të ligjit për sportin në vitin 2007, shihej si një qasje pozitive. U pa e rëndësishme që të përfshiheshin edhe të tretët dhe të krijohej mundësia që asetet të jepeshin me koncesion”, u shpreh Shqevi gjatë dëshmisë së saj.
(A2 Televizion)